Policia e Shtetit, gjatë 24 orëve të fundit

Policia e Shtetit/5 operacione policore u finalizuan gjatë 24 orëve të fundit, si rezultat i punës së strukturave të Policisë, në të gjithë vendin, për goditjen e krimit.

U sekuestruan kanabis, kokainë, mallra të kontrabanduara, 150 000 euro dhe 164 735 paund britanik.

✅3 prej operacioneve goditën aktivitetin kriminal të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.

-Operacioni policor i koduar “Last deal”, i finalizuar pas një hetimi disamujor, me metoda speciale të hetimit, nga DVP Dibër, çoi në pranga 3 shtetas që shpërndanin lëndë narkotike kokainë. U sekuestruan doza kokaine dhe rreth 2.2 milionë lekë të përfituara nga shitja e lëndës narkotike.

-Strukturat e DVP Shkodër finalizuan operacionet e koduara “Bleran” dhe “Sheshi”, si rezultat i të cilëve u sekuestruan rreth 5.6 kg kanabis dhe u vunë në pranga 7 shtetas që ushtronin aktivitetin kriminal.

✅150 000 euro dhe 164 735 paund britanik u sekuestruan në port Durrës, si rezultat i operacionit policor të koduar “Shuma”, i zhvilluar falë inteligjencës informative të siguruar nga strukturat e DPPSH. Drejtuesi i kamionit që tentoi t’i fuste paratë në Shqipëri, pa i deklaruar, u vu në pranga.

✅Operacioni policor i koduar “Pakot postare 2”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në DVP Tiranë, goditi tregtimin e mallrave të kontrabanduara. Administratorja e postës private u shpall në kërkim, 3 shtetas u vunë në hetim.

Për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale, Policia po ushtron kontrolle të vazhdueshme.