Policia e Shtetit – Ekzekutohen masat e sigurisë për 6 shtetas të akuzuar nga SPAK-u

Policia e Shtetit/Si rezultat i hetimeve të drejtuara nga SPAK, zbardhet një skemë përfitimi e paligjshme për dhënien e disa banesave sociale në Spitallë.

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale ekzekutojnë masat e sigurisë për 6 shtetas të akuzuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm.

Shpallen në kërkim, për të njëjtën akuzë nga SPAK, 2 shtetas.

Është ekzekutuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, caktuar nga GjKKO-ja, për shtetasit V. K., B. L., G. S. dhe E. Ç.. Gjithashtu, është ekzekutuar masa e sigurisë “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, caktuar nga GjKKO-ja, për shtetasit G. P. dhe S. S.. Më tej, u shpallën në kërkim shtetasja V. M., me masë sigurie “Arrest në burg”, si dhe shtetasi Sh. D., me masë sigurie “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”.

Nga hetimet e drejtuara nga SPAK, ka rezultuar se shtetasit G. S., V. K., V. M., B. L. dhe E, Ç. kishin ngritur një skemë përfitimi të paligjshme, duke u prezantuar si punonjës me funksione drejtuese dhe vendimmarrëse, për dhënien e disa banesave sociale në Spitallë, Durrës, kundrejt përfitimit të shumës 15 000 euro. Ndërkaq, 3 shtetasit e tjerë akuzohen se kanë dhënë shumat monetare, me qëllim përfitimin e banesave sociale.

Gjatë kontrolleve u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 automjete, 7 celularë, 1 armë e dyshuar pistoletë sportive dhe dokumente të ndryshme.

Punohet për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim.

Materialet procedurale i kaluan SPAK, për veprime të mëtejshme.

SPAK dhe Policia e Shtetit falënderojnë redaksinë e emisionit investigativ “Fiks Fare”, për bashkëpunimin e frytshëm dhe sensibilizimin e opinionit publik për këtë skemë të paligjshme, dhe i ftojnë qytetarët dhe median të denoncojnë çdo veprim të paligjshëm apo akt korruptiv me të cilin përballen.