Finalizohet operacioni policor i koduar “Memlishti 2”.
Kapet duke transportuar 11 shtetas të huaj, arrestohet në flagrancë një shtetas.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, kanë goditur një tjetër rast të veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit me qëllim dërgimin e tyre drejt vendeve të BE-së, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:
• I.P., 43 vjeç, banues në Elbasan, i dënuar më parë për “Vjedhje”.
Nga informacione të siguruara në rrugë policore, si edhe gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë në dalje të qytetit të Pogradecit, shtetasi I.P., u kap duke transportuar me mjetin furgon tip “Benz” 11 shtetas të huaj në drejtim të Tiranës, të cilëve iu kishte premtuar kalimin e tyre drejt vendeve të BE-së, kundrejt fitimit.
Nga ana e Policisë, po punohet për të vendosur përpara përgjegjësisë ligjore edhe persona të tjerë, të dyshuar si të implikuar në këtë ngjarje.
Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.