U kap duke transportuar 6 emigrantë të paligjshëm, me një automjet që e drejtonte pa leje drejtimi, vihet në pranga 26-vjeçari.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore, në vijim të operacionit të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit. Si rezultat u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit S. H., 26 vjeç, banues në Kamëz, Tiranë.
Shërbimet e Policisë e kanë kapur në flagrancë shtetasin S. H., në qytetin e Pogradecit, duke transportuar me automjetin tip “Benz”, në drejtim të Tiranës, 6 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit 5000 euro për secilin, u kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Gjatë kontrollit dhe verifikimit të dokumentacionit, rezultoi se shtetasi S. H. e drejtonte automjetin, pa leje drejtimi.
Po punohet për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore, të personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të paligjshme.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.