Sekuestrohen armë zjarri, drogë e municion luftarak.
Arrestohet në flagrancë poseduesi.
Në vijim të kontrollit të territorit, për parandalimin, evidentimin dhe goditen e paligjshmërisë, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit të Hetimit të Trafiqeve dhe Narkotikëve në D.V.P. Gjirokastër organizuan dhe finalizuan operacionin “OSUMI”.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi A. M., 35 vjeç, banues në fshatin Nikollarë, Skrapar, pasi në kufi me Skraparin, shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet gjatë kontrollit të ushtruar ndaj këtij shtetasi i gjetën një armë zjarri tip pushkë 20, një armë gjahu pa leje, fishekë dhe një sasi lënde narkotike cannabis sativa rreth 2 kilogramë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Përmet, për hetime të mëtejshme, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.