Peqin/Finalizohet operacioni policor i koduar “Brothers”.
Sekuestrohen 1 armë zjarri kallashnikov, 2 armë zjarri pistoleta, 1 armë gjahu, fishekë luftarak dhe 3 celularë.
Operacioni, rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, të ndjekura përmes një hetimi me metoda proaktive, në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit.
Vihen në pranga 2 shtetas (vëllezër) që i kishin fshehur këto armë, në katër çanta në banesën e tyre.
Në vijim të punës së pandërprerë në terren, për identifikimin, kapjen dhe arrestimin e shtetasve që posedojnë armë, pa leje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Peqin kanë siguruar informacion se 2 vëllezër posedonin një arsenal armësh zjarri, në banesën e tyre, në lagjen “Teqe”.
Bazuar në këto informacione, është ndjekur një hetim disaditor, me metoda speciale, në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit, si rezultat i të cilit, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Peqin dhe ato të Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Elbasan, u finalizua operacioni policor i koduar “Brothers”. Në kuadër të këtij operacioni, u ushtruan kontrolle në banesën e 2 vëllezërve dhe në territorin përreth saj.
Nga kontrollet, në këtë banesë u gjetën të fshehura në katër çanta, 1 armë zjarri kallashnikov, 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë zjarri revolver, 1 armë gjahu dhe fishekë luftarak për to. Armët dhe municioni luftarak u dërguan për ekspertizë, me qëllim verifikimin nëse janë përdorur ose jo, për ngjarje kriminale.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestuan në flagrancë shtetasit A. B. alias G. M., 46 vjeç dhe B. M., 43 vjeç (vëllezër), për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.