Në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020, vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit.
Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:
K. D., banues në Sarandë, i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, për veprën penale “Vjedhja e mbetur në tentativë, në kuadër të gupit të strukturuar kriminal”;
M. D., banues në Vlorë, i cili ka lidhje familjare me subjektin K. D., si rrjedhojë është subjekt i nenit 16 të Aktit Normativ Nr.1, datë 31.01.2020;
Z. Gj., banuese në Elbasan, e dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, e kryer në bashkëpunim”.
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.
OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.