NJOFTIM PËR SHPALLJEN E THIRRJES PËR KONKURRIM PËR POZICIONIN DREJTOR I DEPARTAMENTIT PËR SHËRBIMET MBËSHTETËSE, NË DREJTORINË E PËRGJITHSHME TË POLICISË SË SHTETIT
Mbështetur në pikën 1, pikën 2 shkronja “c”, dhe “l” të nenit 55, piken 4 dhe 5 të nenit 60, të Ligjit Nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, si dhe Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 641, datë 16.10.2024 “Për miratimin e rregullores për përzgjedhjen e kandidatit për zëvendësdrejtor të përgjithshëm, drejtor të departamentit, drejtor të drejtorisë vendore dhe shef të komisariatit në Policinë e Shtetit”;
Në zbatim të urdhërit nr.139, datë 13.01.2025, të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, “Për shpalljen e thirrjes për konkurrim për pozicionin “Drejtor i Departamentit për Shërbimet Mbështetëse, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit””;
Me qellim zhvillimin e një procesi vlerësimi objektiv, transparent dhe gjithëpërfshirës, nxitjen e konkurrencës profesionale dhe drejtuese në përzgjedhjen e kandidatëve që shfaqin aftësi dhe rezultate të larta, integritet moral dhe profesional,
NJOFTOJMË:
- Shpalljen e thirrjes për konkurrim për pozicionin “Drejtor i Departamentit për Shërbimet Mbështetëse, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit”.
- Faza e aplikimeve është e hapur në periudhën 15.01.2025 ora 08.00 deri me datën 22.01.2025 ora 16.30.
- Ka të drejtë të aplikojë për pozicionin “Drejtor i Departamentit për Shërbimet Mbështetëse, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit”, punonjësi i policisë, i cili plotëson kriteret e pikës 4, të nenit 60, të ligjit nr. 82/2024, “Për Policinë e Shtetit”, si më poshtë:
- a) Të mbajë njërën nga gradat e rolit të mesën drejtues;
- b) Të ketë shtetësi shqiptare;
- c) Të mos ketë qenë i dënuar për kryerjen e një vepre penale, me vendim gjyqësor të formës së prerë;
ç) të mos ketë masa disiplinore të përcaktuara në shkronjat “c”, “ç”, “d” dhe “dh”, të pikës 1 të nenit 123 të ligjit 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, brenda 3 (tre) vjetëve të fundit;
- d) Të jetë në kushte shëndetësore, që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse;
- dh) Të mos ketë konflikt interesi në ushtrimin e detyrës, në përputhje me legjislacionin për konfliktin e interesit.
- Çdo punonjës, i cili shpreh interesin për të konkurruar për pozicionin “Drejtor i Departamentit për Shërbimet Mbështetëse, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit”, duhet të dorëzojë pranë Komisionit të Vlerësimit të Aplikimeve (në vijim KVA), në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë se Shtetit, kërkesën me shkrim si dhe dokumentacionin e përcaktuar në piken 6 të këtij urdhri.
- Kandidati duhet të paraqesë një aplikim të plotë, në mënyrë që të merret në konsideratë nga KVA-ja. Vlerësimi bëhet vetëm mbi bazën e dokumenteve të dorëzuara.
- Kërkesa me shkrim shoqërohet nga dokumentet e mëposhtme:
- a) një jetëshkrim i përditësuar;
- b) një platformë personale te qëllimeve dhe objektivave që kandidati propozon të ndjekë. Ky dokument duhet të jetë punë origjinale e kandidatit dhe nuk duhet të kalojë 15 faqe, në llojin e shkrimit Time New Roman, madhësia 12, me hapësirë midis rreshtave 1.15;
- c) vetëdeklarimin, sipas ligjit nr. 138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave të zgjedhur, emëruar ose që marrin funksione publike”, përcaktuar në lidhjen nr. 1, bashkëlidhje e këtij urdhri;
ç) vërtetim të gjendjes gjyqësore, lëshuar nga organi kompetent shtetëror, i lëshuar jo më herët se 3 muaj nga data e paraqitjes së shprehjes së interesit;
- d) vërtetimin/dokumentacionin e përshtatshëm, që provon përvojën e punës së kandidatit për pozicionin për të cilin konkurron;
- dh) vlerësimet profesionale dhe etike të kandidatëve në punët që kanë bërë në të shkuarën, nëse ka, apo rezultatet e arritura gjatë përvojave të tyre të punës, që lidhen me ushtrimin e funksioneve në fushën e rendit dhe sigurisë;
- e) dokumentacionin e përshtatshëm që provon arritjet gjatë studimeve të larta dhe në trajnime, dhe kurse të certifikuara, brenda dhe jashtë vendit;
ë) dokumentacionin e përshtatshëm, që provon rezultatet e arritura gjatë studimeve pasuniversitare në fushën e rendit ose sigurisë;
- f) kopje të dëshmive të gjuhëve të huaja, nëse ka;
- g) kopje të gradës shkencore ose titujve akademikë, nëse ka;
- gj) dokumentin shëndetësor që dëshmon aftësinë për punë, e lëshuar jo më herët se 3 muaj nga data e paraqitjes së shprehjes së interesit;
- h) vetëdeklarim që kandidati nuk është në konflikt interesi në ushtrimin e detyrës, të përcaktuar në lidhjen nr. 2, bashkëlidhje e këtij urdhri;
- i) vetëdeklarim që kandidati nuk është larguar nga puna më parë për shkaqe disiplinore dhe që nuk ka masë disiplinore në fuqi në momentin e kandidimit, përcaktuar në lidhjen nr. 3, bashkëlidhje e këtij urdhri;
- j) autorizimin për KVA-ne, përcaktuar në lidhjen nr. 4, bashkëlidhje e këtij urdhri;
- Pas përfundimit të afatit 7-ditor te aplikimit, KVA-ja publikon në faqen zyrtare të Drejtorisë se Përgjithshme të Policisë se Shtetit emrat e kandidatëve qe kane shprehur interesin për pozicionin “Drejtor i Departamentit për Shërbimet Mbështetëse, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit”.
- Brenda 10 ditësh nga mbyllja e fazës se aplikimit, KVA-ja kryen vlerësimin paraprak të aplikimeve, me qëllim verifikimin e plotësimit të kushteve ligjore. Nëse është e nevojshme, pa kaluar afatin e parashikuar në ketë pike, KVA-ja kërkon informacione të mëtejshme prej kandidatit, institucioneve publike apo punëdhënësit të kandidatit.
- Në përfundim të vlerësimit paraprak, KVA-ja harton listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet ligjore dhe të kandidatëve që nuk i plotësojnë këto kushte, bazuar në dokumentacionin e paraqitur nga kandidati dhe dokumentacionin shtesë të mbledhur.
- KVA-ja merr vendim për skualifikimin e kandidatëve që nuk plotësojnë kushtet ligjore dhe i njofton me shkrim kandidatët, në mënyrë të posaçme dhe të arsyetuar për shkaqet e skualifikimit. Vendimet për kualifikimin ose skualifikimin e aplikantëve merren me shumicën e votave të anëtarëve te KVA-së.
- Kandidatët vlerësohen nga KVA-ja përmes dokumenteve të dorëzuara nga kandidatët, dokumenteve të mbledhura nga komisioni, të dhënave publike ose burimeve të tjera të besueshme, për:
12.1 Aftësitë profesionale, bazuar ne kriteret e mëposhtme, me peshë specifike 20% të vlerësimit të përgjithshëm:
- Kohëzgjatja dhe përshtatshmëria e përvojës në punë me funksionin për të cilin konkurron;
- Rezultatet e vlerësimeve profesionale ose etike të kandidatëve në funksionet e mëparshme, nëse ka, ose rezultatet e arritura gjatë përvojave të tyre të punës, që lidhen me ushtrimin e funksioneve në fushën e rendit ose sigurisë;
- Rezultatet e arritura gjatë studimeve të larta dhe në kurse trajnimi të certifikuara, brenda dhe jashtë Shqipërisë;
- Rezultatet e arritura gjatë studimeve pasuniversitare në fushën e rendit ose sigurisë;
- Punime akademike, studime shkencore, shkrime dhe ligjërata profesionale, botime, pjesëmarrje në aktivitete shkencore (përveç atyre që kanë shërbyer për fitimin e gradës shkencore), pjesëmarrje në procesin e hartimit ose të konsultimit të legjislacionit dhe çdo angazhim tjetër profesional i kandidatit gjatë 5 viteve të fundit në fushën e rendit ose sigurisë.
12.2 Integritetin moral, bazuar ne kriteret e mëposhtme, me peshë specifike 10% të vlerësimit të përgjithshëm:
- a) Reputacioni që kandidati gëzon në shoqëri dhe të kolegët, si rezultat i aktivitetit të tij profesional, bazuar në cilësitë morale, si: ndershmëria, përpikëria në kryerjen e detyrave, drejtësia në marrjen e vendimeve dhe llogaridhënia;
- b) Opinioni që kandidati gëzon në shoqëri dhe të kolegët, si rezultat i aktiviteteve të kryera gjatë kohës që nuk ushtron funksionin e tij, bazuar në cilësitë morale, si: besueshmëria, paanshmëria, dinjiteti, veprimtaritë sociale ose kulturore.
12.3 Aftësitë organizative dhe drejtuese, bazuar ne kriteret e mëposhtme, me peshë specifike 60% të vlerësimit të përgjithshëm:
- a) cilësia e platformës dhe vizionit qe kandidati paraqet;
- b) aftësitë e provuara në marrjen e vendimeve dhe përgjegjësive, bazuar në përvojat e mëparshme profesionale dhe shoqërore;
- c) aftësitë në komunikim;
ç) aftësia për të punuar në grup dhe në mjedise multidisiplinare dhe/ose multikulturore;
- d) aftësia për përfaqësim në publik.
12.4 Elementet shtesë për vlerësim, bazuar ne kriteret e mëposhtme, me peshë specifike 10% të vlerësimit të përgjithshëm:
- a) mbajtja e titujve akademikë;
- b) studimet dhe trajnimet afatgjata të kryera jashtë vendit, jo më pak se dy javë në fushën e rendit ose sigurisë, ose aftësive menaxheriale;
- c) zotërimi i gjuhëve të huaja, të vërtetuar me dokument përkatës.
- Krahas vlerësimit bazuar ne dokumentet e dorëzuara nga kandidatët, dokumenteve të mbledhura nga komisioni, të dhënave të besueshme, kandidatet i nënshtrohen procesit te intervistimit.
- KVA-ja organizon intervistën me kandidatët, të cilët i njofton nëpërmjet sekretarisë teknike, jo më vonë se 48 orë përpara, për vendin dhe orën e intervistës. Seanca e intervistës për secilin kandidat mbahet në praninë e të gjithë anëtarëve të komisionit dhe zgjat jo më shumë se 20 minuta. Paraqitja e kandidatëve për intervistim bëhet sipas rendit alfabetik.
- Pas përfundimit të intervistës, KVA-ja zhvillon një seancë të mbyllur për të vlerësuar cilësitë e secilit kandidat. Komisioni do të shqyrtojë çdo dokument të nevojshëm për vlerësimin e kandidatit.
- KVA-ja do të vlerësojë dokumentacionin e dorëzuar nga kandidati, të mbledhur nga KVA-ja si dhe informacionin e dhënë gjatë intervistës për të përfunduar vlerësimin. Secili nga anëtarët e KVA-së bën vlerësimin e kandidatëve me pikë, sipas komponentëve dhe elementeve të përcaktuar në formularin e vlerësimit.
- Anëtarët e komisionit bëjnë vlerësime individuale dhe të pavarura dhe rezultati i kandidatit është mesatarja e vlerësimeve të të gjithë anëtarëve të komisionit.
- Brenda 48 orëve nga përfundimi i procesit të vlerësimit të kandidatëve, komisioni shpall listën e rezultateve përfundimtare të kandidatëve, sipas rendit zbritës.
- Në rastet kur kandidatët kanë pikë të barabarta, renditet i pari kandidati i cili është vlerësuar më tepër për komponentin, i cili ka peshën specifike më të madhe, të përcaktuar në urdhërin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Nëse edhe pas rivlerësimit kandidatët renditen me pikë të barabarta, ata do të listohen në bazë të vjetërsisë në funksione menaxheriale dhe në përvojën profesionale.
- Çdo kandidat ka të drejtën e ankimit pranë Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave për shkeljet procedurale të pretenduara, brenda 2 ditëve nga shpallja e rezultateve paraprake.
- KSHA-ja vendos brenda 5 ditëve nga momenti i paraqitjes së ankesës njofton KVA-në, dhe kandidatin lidhur me vendimmarrjen. Mënyra e rivlerësimit pranë KSHA-së është sipas rregullave të parashikuara për KVA-në.
- Në përfundim të procesit të ankimimit, KVA-ja, jo më vonë se dita e nesërme pas marrjes së vendimit për shqyrtimin e ankimit të fundit, publikon në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit listën e kandidatëve, të renditur sipas rezultatit të arritur në rend zbritës. Rezultati përfundimtar përllogaritet me dy presje dhjetore.
- Në rastet kur kandidatët kanë pikë të barabarta, renditet i pari kandidati i cili është vlerësuar me pikë më tepër për komponentin, i cila ka peshën specifike më të madhe, të përcaktuar në urdhrin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Nëse edhe pas rivlerësimit kandidatët renditen me pikë të barabarta, ata do të listohen në bazë të vjetërsisë në funksion menaxherial dhe në përvojën profesionale.
- Në përfundim të procesit të konkurrimit, KVA-ja harton listën e kandidateve sipas rezultateve të arritura në rend zbritës dhe ia vendos në dispozicion drejtorit të përgjithshëm të Policisë.
- Asnjë kandidat nuk mund të emërohet në detyrë nëse nuk është vlerësuar me të paktën 70% të pikëve të rezultatit të përgjithshëm.