Në kuadër të projektit të financuar nga BE-ja, Policisë së Shtetit iu dhuruan pajisje për mbrojtjen personale për të përballuar sfidat e krijuara nga pandemia COVID-19 në mesin e komunitetit të migrantëve dhe refugjatëve

Në kuadër të projektit financuar nga BE-ja “Trajtimi i sfidave të COVID-19 brenda përgjigjes për migrantët dhe refugjatët në Ballkanin Perëndimor”, i zbatuar nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) dhe Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), Policisë Shqiptare të Kufirit dhe Migracionit iu dhurua 57,000 pajisje mbrojtëse personale kundër COVID-19 me vlerë 25500 euro. Ky dhurim u bë i mundur falë kontributit të Instrumenteve e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian dhe u dorëzua nga IOM-i gjatë një ceremonie në mjediset e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Dhurimi përfshin doreza, maska, mburoja për fytyrën, higjienizues për duart, pompa dezinfektimi, etj., të cilat do të përdoren nga oficerët e policisë kufitare dhe personeli që punojnë në qendrat e pritjes së migrantëve dhe në pikat e kalimit kufitar. “I jemi shumë mirënjohës Bashkimit Evropian dhe IOM-it për këto pajisje, të cilat do të ndihmojnë për mbrojtjen e punonjësve të linjës së parë, duke siguruar në këtë mënyrë vazhdimin e shërbimeve nga ana jonë për migrantët, azilkërkuesit dhe refugjatët në një mënyrë të sigurt”,- tha Drejtori i Departamentit të Kufirit dhe Migracionit në Policinë e Shtetit.

Projekti “Trajtimi i sfidave të COVID-19 brenda përgjigjes për migrantët dhe refugjatët në Ballkanin Perëndimor” u përgjigjet sfidave të krijuara nga pandemia COVID-19 në lidhje me menaxhimin e kufijve dhe të migracionit. Ai synon të sigurojë që sistemet e menaxhimit të azilit dhe të migracionit të vijojnë të jenë funksionale dhe që rreziku i transmetimit të COVID-19 midis migrantëve, azilkërkuesve dhe refugjatëve në Ballkanin Perëndimor të zvogëlohet.

Ky projekt rajonal i financuar nga BE-ja ka filluar të zbatohet në prill të vitit 2020 dhe do të vazhdojë deri në muajin korrik 2021 me një portofol financimi të përgjithshëm prej 8 milion euro. Ai plotëson dhurimet dypalëshe nga BE-ja për Shqipërinë, të cilat arrijnë në vlerën e 4 milionë eurove dhe që synojnë të sigurojnë mjete dhe pajisje të specializuara mjekësore për trajtimin dhe parandalimin e COVID-19 në Shqipëri. Duke iu referuar në veçanti pajisjeve të mbrojtjes personale, deri tani janë shpërndarë 109,250 palë doreza, 1,000 litra higjienizues duarsh, 1,000 mburoja për fytyrën dhe 1000 syze mbrojtëse, në kuadër të kontratës për shërbimet e emergjencës të BE-së.