Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano zhvilloi një takim prezantues dhe bashkëpunimi me Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave Genti Gazheli.
Gjatë takimit, Nano dhe Gazheli vlerësuan marrëdhëniet e bashkëpunimit mjaft të mira mes dy institucioneve, marrëdhënie të jetëzuara më së miri në Portin e Durrësit, ku funksionimi perfekt i Task Forcës permanente në këtë port ka dhënë rezultate surprizuese në drejtim të parandalimit të trafikimit të drogave të forta, si në hyrje dhe në dalje.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Nano: “Policia e Shtetit është e angazhuar për të bashkëpunuar me të gjitha institucionet dhe agjencitë ligjzbatuese, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë në cilëndo fushë që ajo shfaqet. Jemi të fokusuar për të parandaluar e goditur krimet ndërkufitare dhe trafiqet e paligjshme dhe në këtë aspekt bashkëpunimi me autoritetet doganore është shumë i rëndësishëm”.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave Gazheli: “Modeli i bashkëpunimit dhe funksionimit të Task Forcës në Portin e Durrësit është pikë reference për ta orientuar bashkëpunimin drejt këtij modeli në çdo pikë të kalimit kufitar. Strukturat doganore janë të predispozuara për të mbështetur strukturat policore dhe hetimore në parandalimin, hetimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale që tentohet të kryhet nëpërmjet pikave doganore”.
Në fund të takimit, drejtorët Nano dhe Gazheli konfirmuan angazhimin personal të tyre për të forcuar më tej bashkëpunimin ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Drejtorisë së Doganave.