Nano priti në një takim, ambasadorin e Ukrainës në Shqipëri, z. Volodymyr Shkurov

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Gledis Nano priti në një takim, ambasadorin e Ukrainës në Shqipëri, z. Volodymyr Shkurov.
Në fokus të këtij takimi ishte diskutimi rreth çështjeve me interes të përbashkët në fushën e sigurisë dhe identifikimi i fushave në të cilat mund të bashkëpunohet në të ardhmen.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Gledis Nano, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët si një faktor kyç për arritjen e suksesit në luftën e përbashkët kundër krimit, shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me organet ligjzbatuese ukrainase, për çështje në interes të sigurisë. Po ashtu, sugjeroi zhvillimin e vizitave studimore në vendet respektive, për t’u njohur më mirë dhe për të shkëmbyer eksperiencat më të mira.
Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri SH.T.Z. Volodymyr Shkurov përgëzoi Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shteti, për emërimin në detyrë dhe shprehu konsideratën e tij për Policinë e Shtetit. Njëkohësisht, vuri në dukje se ambasada e Ukrainës është e re në Shqipëri dhe kohët e fundit po punohet me hapa të mëdha për të rritur bashkëpunimin mes vendeve.
Në këtë kontekst, z. ambasador shprehu gatishmërinë për ta thelluar bashkëpunimin në të ardhmen, duke sugjeruar që të nënshkruhet një memorandum bashkëpunimi mes palëve, në mënyrë që të hapet rruga për bashkëpunime në fusha të ndryshme.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Gledis Nano, duke falënderuar z. ambasador, për gatishmërinë për të bashkëpunuar me Policinë e Shtetit, shprehu dakordësinë e tij në parim për të pasur një memorandum bashkëpunimi mes palëve.
Gjithashtu siguroi se nga Policia e Shtetit nuk do të mungojë asnjëherë përkushtimi, serioziteti dhe gatishmëria për të bashkëpunuar me të gjithë partnerët ndërkombëtarë, për të përmbushur qëllimin e përbashkët, atë të luftës ndaj krimit.