Morinë, Kukës – Vijojnë kontrollet intensive për goditjen e veprimtarive kriminale në kufi

Morinë, Kukës / Vijojnë kontrollet intensive për goditjen e veprimtarive kriminale në kufi.

Sekuestrohen 14 000 paund dhe 2600 euro dhe procedohet penalisht shtetasi kosovar që nuk i deklaroi paratë në kufi.

Shërbimet e Policisë Kufitare në Morinë, në vijim të kontrolleve për goditjen e paligjshmërive në kufi, bazuar në analizën e riskut dhe në kontrollet me përzgjedhje, në hyrje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, automjetin tip “Porsche”, me drejtues shtetasin B. G.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 14 000 paund dhe 2600 euro, të padeklaruara nga 31-vjeçari, sipas përcaktimeve ligjore në fuqi.

Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar të DVP Kukës referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin B. G., 31 vjeç, lindur në Kosovë dhe rezident në Mbretërinë e Bashkuar, për veprën penale “Mosdeklarimi i të hollave dhe i sendeve me vlerë në kufi”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.