Finalizohet një tjetër operacion për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Operacioni policor i koduar “Shkëmbimi”, i zhvilluar nga DVP Lezhë dhe Komisariati i Policisë Mirditë, në bashkëpunim me FNSH Shkodër.
Vihen në pranga 4 shtetas që u kapën në flagrancë duke shkëmbyer lëndë narkotike.
Sekuestrohen 1.7 kg lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa, 2 automjete, 5 aparate celularë dhe një sasi parash.
Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Lezhë dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, në bashkëpunim me FNSH Shkodër, pas një punë të mirorganizuar, bazuar në informacionet e grumbulluara për disa shtetas që posedonin lëndë narkotike dhe që do bënin shkëmbimin në qytetin e Rrëshenit, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Shkëmbimi ”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve O. K., 23 vjeç dhe E. Q., 23 vjeç, banues në Mirditë dhe i shtetasve K. Sh., 33 vjeç dhe E. Gj., 27 vjeç, banues në Skuraj, Kurbin.
Këta shtetas janë kapur gjatë operacionit, në qytetin e Rrëshenit, në momentin e shkëmbimit të lëndës narkotike.
Gjatë operacionit, forcat policore gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1.7 lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa, 5 aparate celularë, 1500 euro, sende të tjera të kundërligjshme, si dhe 2 automjetet me të cilët udhëtonin këta shtetas.
Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim.