Mirditë – Kanosi me mjet prerës (thikë), pronarin e një lokali, për motive të dobëta, dhe kundërshtoi punonjësit e Policisë, arrestohet 37-vjeçari

Mirditë

Kanosi me mjet prerës (thikë), pronarin e një lokali, për motive të dobëta, dhe kundërshtoi punonjësit e Policisë që ndërhynë për parandalimin e përshkallëzimit të situatës, kapet dhe vihet në pranga 37-vjeçari.

Sekuestrohen 2 mjete prerëse (thika), që iu gjetën 37-vjeçarit, gjatë kontrollit fizik.

Shërbimet e Policisë, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në një lokal, në Rubik, një shtetas kishte kanosur me mjet prerës (thikë), pronarin e lokalit, kanë shkuar në këtë adresë, për të parandaluar përshkallëzimin e situatës. Gjatë ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë, shtetasi L. D., në gjendje të dehur, i ka kundërshtuar ata me forcë, ka goditur me grusht njërin prej tyre dhe është larguar me vrap.

Pas kontrolleve, u bë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasit L. D., 37 vjeç, banues në Rubik, Mirditë. Në momentin e kapjes, këtij shtetasi iu gjetën 2 thika, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprat penale “Kanosja”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja e armëve të ftohta”, “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.