Vijojnë kontrollet e imtësishme për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Si rezultat i kontrolleve dhe bashkëpunimit me qytetarët evidentohet dhe goditet një rast i aktivitetit të kundraligjshëm në fushën e lojrave të fatit.
Sekuestrohen 7 pajisje elektronike, procedohet penalisht pronari i lokalit.
Në vijim të punës për evidentimin dhe ndëshkimin e paligjshmërisë si dhe falë bashkëpunimit me qytetarët, është bërë e mundur që të evidentohet dhe goditet një tjetër rast i ushtrimit të aktivitetit të kundraligjshëm të lojrave të fatit, dhe konkretisht shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, në lokalin e shtetasit U. P., në qytetin e Burrelit, kanë gjetur e sekuestruar 7 pajisje elektronike në gjendje pune, ku dyshohej se ushtrohej aktivitet i kundraligjshëm i lojrave të fatit.
Në përfundim të veprimeve hetimore nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Mat, u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi U. P., 30 vjeç, banues në Klos, për veprën penale “Organizim i llotarive të palejuara”.
__
Bulqizë / Nga Specialistët e Policisë Rrugore, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit I. Z., 65 vjeç, banues në Bulqizë, pasi u kap duke drejtuar automjetin e tij në gjendje të dehur në masën 0.83 mg/l.
Materialet procedurale në ngarkim të shtetasve të lartëpërmendur i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër dhe Mat për veprime të mëtejshme.