Policia Rrugore ka shtuar masat në të gjithë vendin, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore, në funksion të rritjes së parametrave të sigurisë së jetës në rrugë.
1033 punonjës të Policisë Rrugore u angazhuan gjatë 48 orëve të fundit, duke kryer edhe shërbime suplementare, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore në fundjavë.
Masat kanë konsistuar në parandalimin e shpejtësisë apo manovrave të rrezikshme në rrugë, drejtimin e mjetit nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, për mosvendosjen e rripit të sigurimit, për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit, shtimin e prezencës së Policisë Rrugore në ato segmente apo vende të sugjeruara nga qytetarët, duke marrë në konsideratë shqetësimet apo konstatimet për shkelje të ndryshme të evidentuara nga ata, të cilët i kanë adresuar në adresat zyrtare të komunikimit të Policisë së Shtetit me komunitetin.
Si rezultat, gjatë 48 orëve të fundit janë arrestuar në flagrancë 25 shtetas, nga këta: 10 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 15 pa leje drejtimi.
Nga kontrollet e ushtuara me drager e radar, në të gjithë vendin, për 48 orë janë pezulluar 192 leje drejtimi, nga këto: 31 leje drejtimi për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, 131 leje drejtimi për drejtim mjeti me shpejtësi deri në dyfishin e normës së lejuar dhe 30 leje drejtimi për shkelje të ndryshme që kanë si masë plotësuese pezullimin e lejes së drejtimit.
Gjithashtu, po gjatë fundjavës janë vendosur gjithsej 5098 masa administrative, nga këto: 316 masa për mosvendosje të rripit të sigurimit, 47 për mosvendosje të kaskës mbrojtëse, 626 për përdorim të celularit, 2578 për parkime të gabuara dhe pushim mjeti në kundërshtim me Kodin Rrugor, 282 masa për shpejtësi e manovra në rrugë, 52 për mungesë figuracioni, si dhe 1197 për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.
Gjithashtu, gjatë fundjavës janë bllokuar edhe 27 automjete, si dhe një automjet i vjedhur, ku dhe u prangos nga Policia Rrugore e Elbasanit shtetasi që kishte vjedhur automjetin.
Aktualisht, Njësia Operacionale e Drejtorisë së Policisë Rrugore dhe të gjitha shërbimet e Policisë Rrugore në qarqe vijojnë monitorimin e trafikut dhe kontrollet me radar e drager, si dhe me shërbime të kombinuara me uniformë dhe civilë, me qëllimin e vetëm, atë të rritjes së sigurisë së jetës në rrugë.
Policia Rrugore falënderon qytetarët e shumtë, të cilët në mënyrë të vazhdueshme po adresojnë shkelje të Kodit Rrugor dhe fton cilindo që konstaton apo has në shkelje të Kodit Rrugor t’i adresojë ato në Komisariatin Dixhital, në numrin 112 apo në adresat e tjera zyrtare të Policisë së Shtetit, duke u garantuar se çdo adresim është marrë dhe do merret shumë seriozisht duke reaguar me profesionalizëm e paanshmëri.