Maliq/Vijon operacioni policor i koduar “Perimetri 196”

Maliq/Vijon operacioni policor i koduar “Perimetri 196”.

U kapën në flagrancë duke transportuar emigrantë të paligjshëm, kundrejt fitimit, vihen në pranga drejtuesi i automjetit dhe bashkëpunëtori i tij.

Nga hetimet rezultoi se drejtuesi i automjetit ishte i shpallur në kërkim, për kryerjen e së njëjtës veprimtarie kriminale.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Korçë, në vijim të operacionit “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit të paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

Si rezultat u arrestuan në flagrancë shtetasit K. M., 26 vjeç dhe A. F., 29 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.

Shërbimet e Policisë kanë konstatuar në aksin rrugor Maliq-Lozhan, automjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin K. M. dhe pasagjer shtetasin A. F., të cilit i kanë bërë shenjë që të ndalonte, pasi kishin dyshime se po transportonin emigrantë të paligjshëm.

Drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrit të tyre për të ndaluar, por është larguar me shpejtësi dhe e ka braktisur automjetin në fshatin Lozhan. Pas ndjekjes nga shërbimet e Policisë, në fshatin Strelcë, Maliq, janë kapur shtetasit A. F. dhe K. M., së bashku me 5 emigrantë të paligjshëm, të cilët do të transportoheshin me automjetin tip “Benz”, në drejtim të Tiranës, kundrejt fitimit.

Nga verifikimet e kryera rezultoi se shtetasi K. M. ishte shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Pogradec, për të njëjtat vepra penale, në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 21.09.2022, në dalje të qytetit të Pogradecit, ku ai nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar automjetin tip “Benz”, me të cilin po transportonte, kundrejt fitimit, 5 emigrantë të paligjshëm.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.