Në kuadër të luftës kundër informalitetit dhe pastrimit të parave, gjurmimit dhe identifikimit të aseteve që janë përfituar nga veprimtari kriminale, pas informacioneve të mara në rrugë operative se shtetasi J. S merrej me aktivitet kriminal në fushën e narkotikëve dhe krimeve kundër personit, nga strukturat e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Fier u ushtrua kontroll në banesën e tij, ku u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 70 000 euro dhe 1 automjet me vlerë rreth 100 000 euro.
Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës Shkallës së Parë Lushnjë, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” për shtetasin J. S., 39 vjeç, banues në Lushnjë.
Vijojnë hetimet dhe verifikimet për evidentimin e pasurive të tjera që mund të jenë në emër të këtij shtetasi dhe personave të lidhur me të.