Intensifikohen kontrollet për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kapjen e personave në kërkim dhe atyre që qarkullojnë me armë zjarri e lëndë narkotike.
Si rezultat i kontrolleve kapet dhe vihet në pranga një 55-vjeçar i shpallur në kërkim për kultivim të bimëve narkotike, vihet në pranga dhe një tjetër 55-vjeçar për tentativë për kultivim të kanabisit. Gjithashtu, procedohen penalisht dhe 2 shtetas, për fshehje të të ardhurave dhe mospagim të taksave.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, ndaluan shtetasin Z. B., 55 vjeç, banues në Kashnjet, Lezhë.
Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë, me vendimin e datës 12.07.2021 i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Strukturat policore në DVP Lezhë, në vijim të punës së pandërprerë për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë së paligjshme të kultivimit të bimëve narkotike, kanë vijuar kontrollet në sipërfaqe të pyllëzuara, banesa të braktisura, në ish-reparte ushtarake dhe në ato banesa për të cilat disponohet informacion policor se mund të ketë tendencë për kultivim të bimëve narkotike.
Si rezultat i kontrolleve, në vendin e quajtur “Këneta e Balldrenit” është konstatuar në tentativë për të kultivuar bimë narkotike, shtetasi Gj. N., 55 vjeç, banues në Kallmet, Lezhë, i cili është vënë në pranga nga shërbimet e Policisë.
-Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, në zbatim të planit të masave për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimit ekonomik, në bashkëpunim me shërbimet e Njësisë Operacionale për Autostradën kanë shtuar kontrollet dhe si rezultat kanë konstatuar dhe ndaluar, në aksin rrugor Rrëshen-Milot, automjetet tip “Volkswagen” dhe “Audi”.
Gjatë kontrollit të ushtruar, shërbimet e Policisë kanë konstatuar së drejtuesit e këtyre mjeteve, shtetasit H. Sh. dhe Q. H., po transportonin në mënyrë të paligjshme, 276 koli me pije freskuese, pa dokumentacionin shoqërues tatimor.
Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar pranë DVP Lezhë proceduan penalisht shtetasit H. Sh., 20 vjeç dhe Q. H., 32 vjeç, banues në Kukës, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave “dhe “Mospagimi i taksave”.
Materialet procedurale u referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.