Lezhë – Policia parandalon një ngjarje të rëndë kriminale në familje

Ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes dhe e kërcënonte se do ta vriste, por arrestohet në flagrancë nga Policia.

 Sekuestrohet një armë zjarri dhe municion luftarak.

 Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Lezhë arrestuan në flagrancë shtetasin B. L., 54 vjeç, banues në Dragushë, Lezhë.

 Ky shtetas, në mënyrë sistematike ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, në banesë, duke e kërcënuar se do ta vriste me armë zjarri, e cila mbrëmjen e djeshme ka njoftuar Policinë.

 Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në banesën e shtetasit B. L., ku gjatë kontrollit gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri tip “Pushkë” dhe 19 fishekë.

 Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, në ngarkim të shtetasit të lartpërmendur, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Armëmbajtja pa leje”. Me ndryshimet e fundit në Kodin Penal, mbajtja e armëve në automjete, në banesë apo në mjedise publike, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me burgim deri në 7 vjet.