Lezhë/Një sërë planesh operacionale po zhvillohen paralelisht në të gjithë territorin e qarkut, me qëllim goditjen e paligjshmërive, në çdo formë të shfaqjes së tyre.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Antidote”. Zbulohen dhe goditen 2 raste të shitjes së ilaçeve dhe artikujve farmaceutikë, pa elemente sigurie.
✅Për njërin rast u arrestua një 34-vjeçar që kishte fshehur në 2 subjektet që kishte në pronësi (farmaci dhe magazinë të një marketi), 300 kuti me ilaçe jashtë kritereve, me vlerë rreth 10 000 euro.
✅Për rastin tjetër u procedua penalisht administratori i një kompanie farmaceutike, pasi në automjetin e kompanisë, u gjetën 200 artikuj ortopedikë dhe aksesorë parafarmaceutikë, pa dokumentet shoqëruese që kërkon ligji.
Në kuadër të kontrolleve në subjekte ekonomike të ndryshme, për të cilat ka indicie se tregtohen mallra/produkte, në kundërshtim me ligjin, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Lezhë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Antidote”, si rezultat i të cilit:
-u vu në pranga pronari i 2 prej bizneseve, shtetasi A. D., 34 vjeç, banues në Lezhë, pasi kishte fshehur në ambientet e farmacisë dhe në raftet me produkte ushqimore, në magazinën e një marketi, 300 kuti me ilaçe, një pjesë e të cilave nuk kishte elementin e autenticitetit në ambalazhe, ndërsa pjesa tjetër nuk kishte pullën e Agjencisë Shtetërore të Barnave.
-u procedua penalisht administratori i një kompanie farmaceutike, shtetasi S. I., 52 vjeç, banues në Durrës, pasi në automjetin në pronësi të kësaj kompanie, u gjetën 200 artikuj ortopedikë dhe aksesorë parafarmaceutikë, pa elementin e autenticitetit në ambalazhe dhe pa fatura tatimore.
Policia sekuestroi si provë materiale, 300 kutitë me ilaçe dhe 200 artikujt.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.