Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Finalizohet operacioni i koduar “Kreshta 2”.
Transportonte lëndë narkotike, kundërshtoi punonjësit e Policisë për t’iu shmangur kontrollit, por u vu në pranga.
Sekuestrohet lëndë narkotike cannabis sativa në një automjet.
Vihet në pranga 1 shtetas.
Në vijim të punës së pandërprerë për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe vendosjen e autorëve para përgjegjësisë penale, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, pas informacioneve të marra në rrugë operative dhe në bashkëpunim me qytetaret, ka zhvilluar dhe finalizuar operacionin policor antidrogë të koduar “Kreshta 2”.
Në kuadër të këtij operacioni, u bë bllokimi i një automjeti tip Benz në vendin e quajtur “Rruga e Kallmetit”, Lezhë, i cili dyshohej se transportonte lëndë narkotike.
Në momentin e ndalimit, drejtuesi i automjetit ka kundërshtuar punonjësit e Policisë me qëllim shmangien e kontrollit të automjetit, por është neutralizuar dhe Policia ka kryer kontrollin e automjetit .
Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë automjet, në pjesën e sendiljes se prapme është gjetur dhe sekuestruar një sasi lënde narkotike prej 2.3 kg, e dyshuar cannabis sativa.
Në vijim të veprimeve proceduarale, Policia ka arrestuar në flagrancë drejtuesin e mjetit, shtetasin Xh. F., 22 vjeç, banues në Lezhë, si autor të veprave penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë për veprime të mëtejshme.