Lezhë/Finalizohet operacioni i koduar “Destinacioni”

Lezhë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Destinacioni”.

Goditet një rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza.

Shpërndanin kokainë në qytetin e Laçit, vihen në pranga 2 shtetas.

Sekuestrohet një sasi lënde narkotike kokainë, e ndarë në dhjetëra doza, gati për shitje, 1 automjet dhe 4 aparate celulare.

Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Destinacioni”.

Si rezultat i këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasit:

G. M., 28 vjeç, banues në Lushnjë dhe S. K., 19 vjeç, banues në Tiranë.

Këta shtetas dyshohet se ushtronin veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike në qytetin e Laçit.

Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe ndaluar këta shtetas në lagjen nr. 6, Laç, ku, gjatë kontrollit të automjetit me të cilin udhëtonin, iu gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde narkotike kokainë, e ndarë në 80 doza, të gatshme për shitje.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas siguronin lëndën narkotike kokainë dhe më pas e ndanin në doza, me qëllim shpërndarjen e saj në qytetin e Laçit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lënda narkotike, 1 automjet dhe 4 aparate celulare.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.