Kurbin/Finalizohet operacioni policor i koduar “Brothers”, sekuestrohen armë dhe drogë.
Lëvizte me automjet, i armatosur me pistoletë, vihet në pranga 19-vjeçari.
Procedohet penalisht një shtetas tjetër (vëllai i të arrestuarit), pasi duke qenë pasagjer në këtë automjet, mbante me vete sasi lënde narkotike kanabis.
Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë, një sasi lënde narkotike kanabis dhe mjete që i shërbenin ndarjes së lëndës narkotike.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, si rezultat i punës operacionale, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e kriminalitetit, në çdo formë të shfaqjes së tij, si dhe të mbështetura nga inteligjenca informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Brothers”.
Si rezultat i këtij operacioni, në afërsi të mbikalimit të Patokut, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe kanë ndaluar për kontroll, automjetin me drejtues shtetasin G. B., 19 vjeç, dhe pasagjer shtetasin G. B., 22 vjeç (vëllezër), të dy banues në Kurbin.
Gjatë kontrolleve fizike të ushtruara ndaj tyre, shërbimet e Policisë i gjetën 19-vjeçarit, në çantë, një armë zjarri pistoletë, ndërsa 22-vjeçarit, një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis. Gjithashtu, gjatë kontrollit në automjetin me të cilin qarkullonin këta shtetas, u gjetën një peshore elektronike dhe mjete të tjera që dyshohet se përdoreshin për ndarjen e lëndës narkotike.
Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestua në flagrancë shtetasi G. B., 19 vjeç, si dhe u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin G. B., 22 vjeç. Gjithashtu, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, arma e zjarrit pistoletë, sasia e lëndës narkotike kanabis dhe mjetet që i shërbenin ndarjes së lëndës narkotike.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin për veprime të mëtejshme.