Kukës – Ndezi zjarr në fshatin Brekije, për të hapur kullota, identifikohet dhe procedohet penalisht 52-vjeçari

Kukës

Ndezi zjarr në fshatin Brekije, për të hapur kullota, identifikohet dhe procedohet penalisht 52-vjeçari.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kukës, si rezultat i hetimeve të kryera për një rast zjarrvënieje të qëllimshme, në fshatin Brekije, identifikuan autorin e dyshuar të këtij rasti, shtetasin N. D., 52 vjeç, për të cilin u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Nga hetimet dyshohet ky shtetas, me qëllim hapjen e kullotave, ka ndezur zjarr në vendin e quajtur “Dafkë”. Si pasojë, është djegur një sipërfaqe toke (pronë publike) me barishte dhe shkurre.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Kukës apelon për të gjithë qytetarët, që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të kësaj veprimtarie kriminale dhe të paligjshmërive në tërësi, dhe iu garanton anonimat, reagim të shpejtë dhe të paanshëm.