Goditet një rast i zhvillimit të aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit.
Arrestohet në flagrancë një shtetas dhe shpallet në kërkim një tjetër.
Shërbimet e DVP Kukës, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit, kanë ushtruar kontrolle në lokale e ambiente të ndryshme dhe si rezultat kanë evidentuar një rast të ushtrimit të kësaj veprimtarie të paligjshme.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në subjektin bar-kafe në pronësi të shtetasit J. Sh., ku ishte i punësuar në mënyrë të parregullt shtetasi I. M., kanë gjetur dhe sekuestruar 4 kompjuterë (njëri prej tyre me programe për bastet sportive) dhe pajisje të tjera që shërbenin për zhvillimin e lojërave të fatit.
Në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë shtetasi I. M., 45 vjeç, banues në Krumë, Has dhe u shpall në kërkim pronari i subjektit, shtetasi J. Sh., 41 vjeç, banues në Krumë, Has.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Punësimi i paligjshëm”, “Fshehja e të ardhurve” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.