Ksamil – Hiqen 10 pedanë të vënë pa autorizim, si vendbazime për mjetet lundruese

Krijuan vendbazime për mjetet e tyre lundruese, pa lejen e organeve kompetente, procedohen penalisht 6 shtetas.

Në bashkëpunim me Forcat e Sigurisë Detare, Komisariatin e Policisë Kufitare Sarandë dhe me IVMT bashkia Sarandë, u hoqën 10 pedanë të vendosur në det, në Ksamil.

Vijon puna për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të tjerë që kanë krijuar këto vendbazime, në kundërshtim me ligjin.

Komisariati i Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Forcat e Sigurisë Detare, Komisariatin e Policisë Kufitare Sarandë dhe me IVMT bashkia Sarandë, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, se disa shtetas kishin vendosur pedanë në det, në Ksamil, për të krijuar vendbazime të pamiratuara për mjetet e tyre lundruese, kanë kryer menjëherë kontrolle në zonë, me qëllim goditjen e kësaj paligjshmërie dhe parandalimin e ngjarjeve me pasoja për jetën dhe shëndetin e pushuesve.

Konkretisht, në vendin e quajtur “Tre Ishujt”, Ksamil, u hoqën 10 pedanë të vendosur në det, pa lejen e organeve kompetente, të cilat shërbenin si vendbazime për mjetet lundruese, kryesisht për Jet Ski-të.

Në vijim të veprimeve procedurale për këto raste, Sektori për Hetimin e Krimeve i Komisariati të Policisë Sarandë referoi materiale në Prokurori, ku nisi procedimin në gjendje të lirë për 6 autorë të dyshuar të vendosjes së këtyre objekteve, shtetasit D. M., S. D., F. H., S. P., E. M. dhe D. B..

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë iu bën thirrje të gjithë shtetasve, të respektojnë rregullat dhe ligjet në fuqi për zonat bregdetare dhe ato ujore, në mënyrë që të shmangin ndëshkimet penale, si dhe për të garantuar sigurinë e pushuesve në plazhet e zonës.