Krujë
Komisariati i Policisë Krujë, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në vijim të punës për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike dhe në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional “Territor i pastër”, ka vijuar kontrollet në terren.
Gjatë kontrolleve u zbuluan 22 ambiente të përshtatura për kultivim, në fshatin Mafsheq, Njësia Administrative Cudhi, në të cilat u gjetën 148 bimë të dyshuara narkotike kanabis.
Një pjesë e bimëve u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua me anë të djegies.
Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, parashikuar nga neni 284 i Kodit Penal.




