Korçë/Zbardhet në kohë reale ngjarja e ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, në rrugën “Boris Plumbi”, ku u dogj një automjet.
Identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 30-vjeçari, autori i dyshuar i djegies së qëllimshme të automjetit, i cili bëri rezistencë ndaj shërbimeve të policisë, në banesë, në momentin e ndërhyrjes për kapjen e tij.
30-vjeçari, me precedent të mëparshëm penal në fushën e narkotikëve, krimeve kundër personit dhe të armëmbajtjes pa leje.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë, pas një pune intensive hetimore për ngjarjen e ndodhur më datë 27.09.2023, në lagjen nr. 10, të qytetit të Korçës, ku u dogj automjeti në pronësi të shtetasit G. S., bënë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar.
Si rezultat, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit S. P., 30 vjeç, banues në Korçë (me precedent të mëparshëm penal në fushën e narkotikëve, krimeve kundër personit dhe të armëmbajtjes pa leje).
Nga veprimet hetimore dhe nga provat e siguruara rezultoi se ky shtetas i ka vënë zjarrin automjetit tip “Benz”, në pronësi të shtetasit G. S., dhe për pasojë automjeti është djegur pjesërisht. 30-vjeçari, në momentin kur forcat e Policisë ndërhynë në banesë me qëllim kapjen e tij, ka bërë rezistencë ndaj tyre.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.