Korçë – Vijon puna për kapjen dhe ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim

Policia kap dhe ndalon 3 shtetas në kërkim për veprat penale “Vrasja me dashje, e mbetur në tentativë”, “Armëmbajtja pa leje”, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.

Në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur në datën 23.11.2019, ku në lagjen nr. 8, gjatë një konflikti për motive të dobëta midis disa shtetasve, njëri prej tyre ka qëlluar me armë zjarri në ajër, shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë bënë ndalimin e autorëve të dyshuar, të shpallur në kërkim në lidhje me këtë ngjarje, shtetasve M. Sh., 20 vjeç, banues në fshatin Voskop, si edhe dy vëllezërve Xh. Sh., 22 vjeç dhe A. Sh., 23 vjeç, banues në Korçë.

Ndalimi i tyre u bë pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, me vendimin e datës 02.02.2020, ka caktuar ndaj tyre masën e sigurisë “Arrest në burg”, konkretisht ndaj shtetasit Xh. Sh., për veprat penale “Vrasja me dashje, e mbetur në tentativë”, “Armëmbajtja pa leje”; ndaj shtetasit A. Sh., për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”; si edhe ndaj shtetasit M. Sh, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.