Korçë – Vihet në pranga 1 shtetas, procedohen në gjendje të lirë 3 të tjerë

Korçë/Vijon me intensitet zbatimi i masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”. Evidentohen 2 lokale ku ushtrohej veprimtaria e paligjshme e lojërave të fatit.

Vihet në pranga 1 shtetas (pronari i njërit prej lokaleve) dhe procedohen në gjendje të lirë 2 shtetas të tjerë, pasi vinin baste sportive, me celularë.

Sekuestrohen 3 celularë që përdoreshin për lojëra fati.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në vijim të punës për goditjen e organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, kanë vijuar kontrollet në ambiente të ndryshme të qytetit të Korçës. Si rezultat, në vijim të operacionit policor të koduar “Basti i fundit”, në lagjet nr. 10 dhe 16, Korçë, janë goditur 2 raste të tjera të kësaj paligjshmërie.

Në vijim të veprimeve për këto raste, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë:

-arrestuan në flagrancë shtetasin E. P., 46 vjeç, banues në Korçë. Gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin e 46-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën në celularin e tij, biseda dhe aplikacione për vendosjen e basteve sportive;

-referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit G. A., 40 vjeç dhe E. A., 43 vjeç, banues në Korçë, pasi në lagjen nr. 16, Korçë, gjatë kontrollit të ushtruar në një lokal, këtyre dy shtetasve iu gjetën në celularët e tyre, biseda për vendosjen e basteve sportive të palejuara. Tre celularët e këtyre shtetasve, që i shërbenin kësaj paligjshmërie, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu, këta specialistë referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin M. Gj., banues në Korçë, pasi në kundërshtim me vendimin e Gjykatës, ka shkuar në banesën e bashkëshortes së tij, e cila është e pajisur me urdhër-mbrojtjeje.

Materialet proçedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Më datë 13.02.2024, në fshatin Sovjan, Maliq, në oborrin e banesës së shtetasit A. K., 55 vjeç, është vjedhur automjeti tip “Range Rover”, në pronësi të djalit të këtij shtetasi. Gjithashtu, në një kioskë që ndodhej në afërsi të kësaj banese, janë vjedhur disa steka me cigare dhe produkte ushqimore. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në vijim të informacionit të dhënë më datë 10.02.2024, që bën fjalë për humbjen e kontakteve të shtetasit F. M., 49 vjeç, banues në fshatin Biranj, Korçë, me familjarët e tij, ju informojmë se ky shtetas, ditën e djeshme, ka kontaktuar nëpërmjet telefonit, me motrën e tij, të cilës i ka treguar se ndodhet në Greqi.