Ndalohet edhe një shtetas tjetër për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”.
Specialistët e seksionit për krimin ekonomik-financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në vijim të hetimeve të kryera në lidhje me operacionin antikontrabandë të koduar “GORICA” zhvilluar në muajin dhjetor 2019, bënë ndalimin e shtetasit në kërkim:
A. Y., 55 vjeç, banues në fshatin Ravonik, Korçë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, me vendimin e datës 26.12.2019, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera, kryer në bashkëpunim”.
Po nga këto struktura u bë ndalimi i shtetasit në kërkim:
R. A., 32 vjeç, banues në fshatin Podgorie, Maliq, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë me vendim të datës 25.11.2019, e ka dënuar këtë shtetas me 20 ditë burg për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”.
Specialistët e seksionit për trafiqet e paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në kuadër të operacionit të koduar “KLANDESTINËT”, për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit me qëllim dërgimin drejt vendeve të BE-së, të zhvilluar në muajin tetor 2019, bënë ndalimin e shtetasit të shpallur në kërkim:
E. K., 29 vjeç, banues në Domje, Tiranë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec, me vendimin e datës 27.10.2019, ka caktuar për këtë shtetas, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim”.