Plan masash mes Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë dhe Drejtorisë për Kufirin dhe Migracionin për parandalimin, evidenitimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.
Si rezultat i bashkëpunimit, shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit të veprimeve mes DVP Korçë dhe Policisë Kufitare, gjatë 24 orëve të fundit parandalohen dhe goditen edhe tre raste të tjera të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit.
Gjatë operacionit policor të koduar “Perimetri”, të zhvilluar nga DVP Korçë dhe Policia Kufitare, u vunë në pranga 5 persona, 1 u shpall në kërkim dhe 1 tjetër u procedua në gjendje të lirë.
Bllokohen gjatë operacionit, 17 shtetas nga vendet e treta, të cilët kishin hyrë ilegalisht nëpërmjet kufirit jeshil me shtetin grek dhe po transportoheshin kundrejt fitimit në drejtim të kufirit me Malin e Zi, me qëllim destinacionin final një nga vendet e BE-së.
Rasti i parë është evdientuar dhe goditur në Devoll, ku shërbimet e policisë vunë në pranga shtetasit E. K., 40 vjeç, banues në Tiranë dhe R. Ç., 37 vjeç, banues në fshatin Përparimaj, Devoll, si edhe u shpall në kërkim I. T., 28 vjeç, banues në fshatin Vishoticë, Devoll. Nga hetimet e kryera rezulton se tre shtetasit e mësipërm në bashkëpunim mes tyre, i kishin premtuar kalimin e kufirit në mënyrë të paligjshme nga Shqipëria në drejtim të Greqisë kundrejt shpërblimit prej 300 euro, një 32-vjeçari, i cili u kap nga shërbimet e policisë kufitare dhe u procedua penalisht në gjendje të lirë.
Rasti i dytë është evidentuar dhe goditur në aksin rrugor Pogradec-Tiranë, ku shërbimet e Policisë kapën dhe vunë në pranga shtetasin E. T., 33 vjeç, banues në Pogradec, pasi tek vendi i quajtur “Enkelana” në Pogradec, ky shtetas, u kap nga shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Tushemisht, duke transportuar me mjetin tip furgon 13 shtetas të huaj, emigrantë të paligjshëm.
Ndërsa gjatë orëve të natës në Maliq, janë kapur dhe arrestuar në flagrancë për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” shtetasit E.L., 30 vjeç, banues në Rrëshen dhe K.K., 20 vjeç, banues në Fushë- Krujë, pasi janë kapur në flagrancë nga shërbimet e policisë duke transportuar me automjet katër shtetas palestinezë, kundrejt fitimit.
Këta shtetas në momentin e ndërhyrjes së policisë, kanë kundërshtuar punonjësit e policisë dhe kanë tentuar të largohen, por janë vënë pranga.
Po gjatë javës së fundit, është goditur edhe një tjetër rast ku në Pogradec është vënë në pranga shtetasi I. B., 35 vjeç, banues në Tiranë, i cili u kap duke transportuar 11 shtetas nga vendet e treta.
Kontrolli masiv i territorit do vijojë me qëllim evidentimin parandalimin dhe goditjen e kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.