Korçë – Goditet një tjetër rast i dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve.

Kapen duke transportuar 10 shtetas të huaj, arrestohen në flagrancë 3 shtetas.

Në kuadër të Planit Operacional “Joint Action Days”, iniciuar nga Interpol në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor për “Luftën ndaj Trafikut të Qenieve Njerëzore” në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë dhe shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë të DVKM Korçë, u godit një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit me qëllim dërgimin e tyre drejt vendeve të BE-së, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

• M.S., 27 vjeç, D.H., 26 vjeç, dhe Q.S., 25 vjeç, të tre banues në Maliq.

Nga informacione të siguruara në rrugë policore, veprimet hetimore të kryera si edhe gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë pranë fshatit Melçan, Korçë, shtetasi D.H., u kap duke transportuar me një automjet në drejtim të Shkodrës, 10 shtetas të huaj.

Shtetasi D.H në bashkëpunim me shtetasit M.S., dhe Q.S., do t’i ndihmonin këta shtetas kundrejt fitimit prej 50 Euro për secilin, për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme drejt vendeve të BE-së.

Në cilësinë e provës materiale, Policia bllokoi dy automjete që ishin përdorur nga shtetasit e mësipërm për të realizuar transportimin e klandestinëve në destinacionin e premtuar.

Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim”.