Këlcyrë – Iu gjetën 2 armë gjahu pa leje dhe municione në shtëpi, vihet në pranga 55-vjeçari. Sekuestrohen 2 armë gjahu, fishekë shenjëdhënës dhe 2 krehra me fishekë.

Në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe vënien në pranga të personave që mbajnë armë dhe municion, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, shërbimet e Postës së Policisë Këlcyrë arrestuan në flagrancë shtetasin:

P. M., 55 vjeç, banues në Këlcyrë.

Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, në fshatin Katundishtë, Këlcyrë, iu gjetën 2 armë gjahu pa leje, 50 fishekë shenjëdhënës dhe 2 krehra me nga 7 fishekë.

Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Përmet, për veprime të mëtejshme.

——————————–
Tepelenë

Arrestohet në flagrancë një shtetas, për veprat penale “Ruajtja dhe depozitimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave”, “Prodhim i kundërligjshëm i artikujve industrialë e ushqimor” dhe “Prerja e paligjshme e pyjeve”.

Në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Gjirokastër arrestuan në flagrancë shtetasin K. M., 52 vjeç, banues në Tepelenë.

Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi nga kontrolli i ushtruar në magazinën e tij, në aksin rrugor Tepelenë-Memaliaj, rezultoi se ai prodhonte, përpunonte dhe ambalazhonte artikuj të ndryshëm ushqimorë dhe kishte një sasi të konsiderueshme lënde drusore dhe qymyr druri, për të cilat nuk kishte dokumentacion përkatës. Gjithashtu, në këtë ambient janë gjetur dhe thasë me mbishkrime në gjuhën greke për ambalazhimin e qymyrit, si dhe kuti kartoni dhe qese me mbishkrime, një pjesë pa mbishkrime dhe një pjesë me mbishkrime në gjuhë të huaj.

Materialet në ngarkim të shtetasit K. M. i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.