Zbardhen dhe dy vjedhje të tjera, të kryera nga këta shtetas
Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale shuma e lekëve të vjedhura në dyqanin ushqimor, një pistoletë zhurmuese dhe sendet e përdorura nga autorët për kryerjen e vjedhjes.
Shërbimet e Policisë Kavajë kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasit:
– A. B., 18 vjeç, banues në Durrës;
– A. A., 17 vjeç, banues në Durrës;
– E. Xh., 15 vjeç, banues në Durrës.
Këta shtetas, në lagjen Nr. 1, në Kavajë, pasi kanë hapur forcërisht me anë të thyerjes derën e dyqanit ushqimor të shtetasit B. T., kanë hyrë brenda dhe kanë vjedhur një sasi lekësh.
Me marrjen e njoftimit shërbimet e Policisë kanë mbërritur menjëherë në adresën e dhënë, ku kanë kapur dhe arrestuar në flagrancë në ikje e sipër tre autorët, të cilët pasi kishin kryer vjedhjen po tentonin të largoheshin nga vendi i ngjarjes.
U sekuestruan në cilësinë e provës materiale shuma e lekëve të vjedhura në dyqanin ushqimor të shtetasit B. T., një pistoletë zhurmuese dhe sendet e përdorura nga autorët për vjedhjen me thyerje të dyqanit.
Në vijim të veprimeve të para hetimore dyshohet se këta shtetas janë autorë edhe të vjedhjes së dy banesave ndodhur gjatë muajit shtator në Kavajë.
Materialet iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë për veprën penale “Vjedhja, e kryer në bashkëpunim”.