Kavajë
Policia gjen dhe sekuestron armën e zjarrit kallashnikov që përdori 25-vjeçari për të kërcënuar shitësen e marketit ku mori një shumë parash.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë dhe të Sektorit për Krimet ndaj Jetës dhe Pronës në DVP Durrës, në drejtimin e Prokurorisë, pas identifikimit, kapjes dhe prangosjes së autorit të vjedhjes nën kërcënimin e armës, vijuan punën për sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të ngjarjes.
Si rezultat i veprimeve të thelluara, Policia bëri të mundur gjetjen dhe sekuestrimin në cilësinë e provës materiale, të armës së zjarrit kallashnikov, të cilën autori i dyshuar e kishte hedhur në një kanal me ujë, në Qerret, Kavajë.
Më herët, Policia lokalizoi, kapi dhe arrestoi autorin e dyshuar, 25-vjeçarin E. Sh., banues në Qerret.
Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.