Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 125 gr heroinë, lekë të përfituara nga shitja e lëndës narkotike, biçikletë dhe sende të tjera.
Në pranga një 45-vjeçar.
Seksioni për parandalimin dhe hetimin e krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë, në sajë të informacioneve të marra në rrugë operative finalizoi operacionin policor të koduar “Çiklisti”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:
L. M., 45 vjeç, banues në Kavajë.
Ky shtetas gjatë momentit që po qarkullonte me biçikletë në lagjen Nr. 3 Kavajë është ndaluar nga shërbimet e Policisë dhe gjatë kontrollit fizik të ushtruar i janë gjetur disa doza me heroinë. Në vijim është ushtruar kontroll në banesën e këtij shtetasi, ku janë gjetur doza të tjera me heroinë, një sasi lekësh e sende të tjera.
Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale: 125 gr lëndë e dyshuar narkotike heroinë, 36 700 lekë të përfituara nga shitja e lëndës narkotike, biçikletë, 2 aparate celulare, 2 karta banke dhe një peshore elektronike.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, për veprën penale ‘’Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.