Finalizohet operacioni policor i koduar “Koordinimi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.
Bashkëpunimi mes Policisë Kufitare të Kakavijës, FRONTEX-it, Sektorit të Narkotikëve në DVP Gjirokastër dhe shërbimeve doganore çoi në sekuestrimin e 15 kg lëndë narkotike e dyshuar heroinë.
Policia Kufitare e Kakavijës ka shtuar kontrollet në dalje dhe në hyrje, për kamionët e transportit të mallrave, por edhe për automjetet me të cilat udhëtojnë qytetarët, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike.
Bazuar në analizën e riskut të bërë nga Policia Kufitare dhe shkëmbimit të informacionit me strukturat e DVP Gjirokastër, në kuadër të operacionit policor të koduar “Koordinimi”, në dalje u përzgjodh për kontroll në vijën e dytë, një automjet tip kamion, me drejtues shtetasin SH. P.
Pas skanimit dhe kontrollit në vijën e dytë nga ana e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me shërbimet doganore dhe me shërbimet e FRONTEX-it, u bë e mundur gjetja e lëndës narkotike që ishte fshehur në një vend të përshtatur në kroskotin e kamionit.
Gjatë kontrollit të detajuar nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe ato të Sektorit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Gjirokastër u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 30 pako të mbushura me lëndë narkotike të dyshuar heroinë, me peshë totale 15 kilogramë.
Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i drejtuesit të kamionit, shtetasit Sh. P., 63 vjeç, banues në Elbasan, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.
Nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.