Në përgjigje të sfidave të shkaktuara nga pandemia COVID-19 në Shqipëri, sot, IOM i dorëzoi Departamentit për Kufirin dhe Migracionin të Policisë së Shqipërisë 55,182 copë pajisje mbrojtëse personale kundër COVID-19 me vlerë 20,266 dollarë amerikanë. Dhurimi u bë i mundur falë kontributit bujar të Ministrisë së Punëve të Jashtme Norvegjeze, përmes projektit “Lufta kundër kontrabandimit të migrantëve përgjatë Rrugës Bregdetare të Ballkanit Perëndimor”.
Ceremonia e dorëzimit u zhvillua në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Dhurimi përfshin doreza, maska, mburoja fytyre, higjienizues për duar, pompa dezinfektimi etj. të cilat do të përdoren nga oficerët e policisë kufitare dhe personeli që punojnë në qendrat e pritjes së migrantëve dhe pikat e kalimit kufitar. “I jemi shumë mirënjohës Ministrisë së Punëve të Jashtme Norvegjeze dhe IOM-it për këto pajisje, të cilat do të kontribuojnë në mbrojtjen e punonjësve të linjës së parë, duke siguruar kështu vazhdimin e shërbimeve për migrantët, azilkërkuesit dhe refugjatët në një mënyrë të sigurt”, – tha Drejtori i Departamentit të Kufirit dhe Migracionit në Policinë e Shtetit.
Që nga dhjetori i vitit 2018, projekti “Lufta kundër kontrabandimit të migrantëve përgjatë Rrugës Bregdetare të Ballkanit Perëndimor” ka kontribuar në rritjen e bashkëpunimit rajonal midis Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës dhe Malit të Zi dhe ka fuqizuar kapacitetet e autoriteteve ligj zbatuese dhe gjyqësorit për të kapur, hetuar dhe ndjekur penalisht çështjet e kontrabandimit të migrantëve dhe për të mbrojtur migrantët përgjatë rrugës bregdetare të Ballkanit Perëndimor. Bazuar në vlerësimin e kujdesshëm të situatës në terren dhe reagimet e marra nga palët e interesuara në kuadër të zhvillimit global të pandemisë në Mars 2020, Projekti vlerësoi se zbatimi i suksesshëm i aktiviteteve të parealizuara të projektit ishte në rrezik serioz dhe kërkoi një riprogramim të tyre për të mbështetur agjencitë e policisë kufitare në Shqipëri, Bosnje-Hercegovinë dhe Mal të Zi në përgjigje të shpërthimit të COVID-19. Kërkesa u aprovua nga Ministria e Punëve të Jashtme Norvegjeze dhe Projekti vijoi të mbështesë përpjekjet e agjencive të policisë kufitare në Shqipëri, Bosnje-Hercegovinë dhe Mal të Zi në adresimin e sfidave të reja të lidhura me COVID-19 me të cilat përballen si mungesa e pajisjeve për mbrojtjen personale dhe përmirësimin e njohurive, aftësive dhe mjeteve të oficerëve të policisë kufitare për të mundësuar vazhdimin e kontrolleve kufitare duke minimizuar rrezikun e infektimit dhe transmetimit të ndonjë sëmundjeje, përfshirë COVID-19.