Interpol Tirana
Të akuzuar si bashkëpunëtorë në trafikimin e sasive të mëdhaja të lëndëve narkotike, ekstradohen nga Gjermania dhe Greqia, në Shqipëri, 2 shtetas shqiptarë.
Si rezultat i bashkëpunimit të vazhdueshëm mes Interpol Tiranës dhe homologëve, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, me qëllim ekstradimin e tyre në vendet ku ata duhet të vihen përpara përgjegjësisë penale, janë ekstraduar në Shqipëri, 2 shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafikim të lëndëve narkotike, konkretisht:
-si rezultat i bashkëpunimit me Interpol Wiesbaden, u ekstradua shtetasi E. D., 31 vjeç, banues në Shkodër. Ky shtetas ka qenë i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me vendimin e datës 28.06.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Shtetasi E. D. akuzohet se gjatë periudhës janar 2018-dhjetor 2022, ka qenë pjesë e një grupi kriminal që trafikonte sasi të mëdhaja droge, në Danimarkë, Suedi, Norvegji, Holandë dhe Gjermani.
-si rezultat i bashkëpunimit me Interpol Athinën, u ekstradua shtetasi V. H. alias V. H., 43 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas ka qenë i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkallës se Parë për Krimet e Rënda Tiranë, me vendimin e datës 24.07.2019, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Shtetasi V. H akuzohet se më datë 30.03.2018, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka tentuar të trafikojë lëndë narkotike cannabis sativa, drejt Greqisë.