Interpol Tirana kryen ekstradimin nga Belgjika në Shqipëri, të shtetasit të shumëkërkuar L. D.
Drejtoria e Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Bruksel dhe me strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit, realizoi ekstradimin drejt vendit tonë, të shtetasit L. D.
Shtetasi L. D. ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Sigurimi i kushteve për vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasi L. D. dhe 6 shtetas të tjerë janë autorët e dyshuar të ngjarjes së ndodhur më datë 28.08.2019, në rrugën “Xhanfize Keko”, Tiranë, ku mbeti i vrarë me armë zjarri, shtetasi S. M.
Gjithashtu, shtetasi L. D., në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka planifikuar vrasjen e shtetasve Er. Ma., Er. Mi. dhe të anëtarëve të tjerë të grupit të tyre.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit falënderon Zyrën e Interpol Bruksel, për bashkëpunimin, dhe njësitë e angazhuara në realizimin me sukses të operacionit të ekstradimit.