Interpol Tirana
Vijon bashkëpunimi me homologët, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Ekstradohen nga Franca dhe Kosova, 2 shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Si rezultat i bashkëpunimit të ZQK Interpol Tirana me Interpol Paris, u bë ekstradimi nga Franca, i shtetasit E. G. alias E. Sh., 34 vjeç.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë, me vendimin e datës 04.02.2021, i ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja”, mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”.
Rrethanat e ngjarjes: Shtetasi E. G. alias E. Sh., në janar 2021, në lagjen “Nënë Tereza”, Lezhë, ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin E. P.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Lezhë kanë ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, në ngarkim të këtij shtetasi, për veprat penale “Vrasja”, mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”.
—
Gjithashtu, nga Interpol Tirana, falë bashkëpunimit me autoritetet ligjzbatuese kosovare, u bë ekstradimi nga Kosova drejt Shqipërisë, i shtetasit Sh. I., 49 vjeç.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec, me vendimin e datës 13.08.2021, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.
Rrethanat e ngjarjes: Shtetasi Sh. I. ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit antidrogë të koduar “Hudënishti”, finalizuar më datë 08.08.2021, në Pogradec, si rezultat i të cilit u ndaluan 2 shtetas, u shpallën në kërkim 3 të tjerë dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 23 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis, e destinuar për t’u trafikuar jashtë vendit.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec kanë ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec, në ngarkim të këtij shtetasi, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.