Himarë – Policia liron hapësirën e zënë në mënyrë të paligjshme në plazhin Krorëz

Krorëz, Himarë

Në kuadër të planit operacional policor të koduar “Plazh i lirë”, Komisariati i Policisë Himarë ka vijuar kontrollet në vijën bregdetare me qëllim lirimin e hapësirave publike në plazhe.

Lirohet hapësira në vijën bregdetare, në plazhin “Krorëz”.

Procedohen penalisht 12 shtetas, të cilët zaptuan hapësirën publike duke ndërtuar pa leje 12 objekte të përshtatura si lokale/beach bar, nga ku ofroheshin shërbime dhe produkte pa lëshuar kupona tatimorë, duke fshehur të ardhurat dhe shmangur taksat.

Sekuestrohen 300 çadra dhe 480 shezlongë.

Në kuadër të planit operacional për kontrollin dhe lirimin e hapësirave bregdetare të zaptuara në mënyrë të kundërligjshme, Seksioni për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për 12 shtetas: B. I., 34 vjeç, A. L., 34 vjeç, V. A., 34 vjeç, A. I., 71 vjeç, I. H., 51 vjeç, E. R., 52 vjeç, A. K., 62 vjeç, Dh. M., 51 vjeç, A. T., 44 vjeç, A. R., 68 vjeç, Dh. K., 69 vjeç dhe M. V., 25 vjeç, të gjithë banues në Sarandë.

Shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake Himarë, kanë konstatuar në hapësirën e zaptuar, në mënyrë të paligjshme nga këta shtetas, 12 struktura druri të ndërtuara pa leje, si dhe 300 çadra dhe 480 shezlongë të vendosura, të cilat janë hequr, duke liruar hapësirën publike në plazhin “Krorëz”.

Gjithashtu, nga verifikimet e kryera ka rezultuar se në këto subjekte me fushë veprimtarie lokal/beach bar, ofroheshin shërbime dhe produkte pa lëshuar kupona tatimorë.

Materialet iu kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Operacionet policore “Coastline” dhe “Plazhi i Lirë” do të vijojnë intensivisht në qarkun Vlorë.