Hapen aplikimet për t’u bërë pjesë e Policisë, për studentët me rezultate të larta

Nga data 4 korrik hapen aplikimet për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit, për studentët që kanë përfunduar universitetin me rezultate të larta në disa degë të caktuara.

Me qëllim plotësimin e funksioneve të lira organike dhe përzgjedhjen me barazi, paanshmëri dhe transparencë të kandidatëve më të mirë, sipas parimit të shanseve të barabarta, meritës e mosdiskriminimit, në zbatim të urdhrit të Ministrit të Brendshëm, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka përcaktuar kriteret për rekrutimin e 100 studentëve që kanë përfunduar universitetin me rezultate të larta dhe dëshirojnë të bëhen pjesë e Policisë së Shtetit.

Aplikimet bëhen pranë Drejtorive Vendore të Policisë, ku aplikanti ka vendbanimin e përhershëm.

Aplikimet fillojnë më datë 04.07.2019 dhe përfundojnë më datë 31.07.2019.

Kuotat e pranimit në Policinë e Shtetit të shtetasve që kanë përfunduar ciklin e dytë të studimeve të Arsimit të Lartë janë 100, nga të cilat:

-60 kuota për shtetas që kanë përfunduar ciklin e parë dhe të dytë të studimeve në shkencat juridike.

-30 kuota për shtetas që kanë përfunduar ciklin e parë dhe të dytë të studimeve në shkencat ekonomike (degët ekonomi, financë).

-10 kuota për shtetas që kanë përfunduar ciklin e parë dhe të dytë të studimeve në shkencat kompjuterike (degët informatikë, elektronikë).

 

Kriteret e përgjithshme për pranimin e këtyre kandidatëve në Akademinë e Sigurisë:

– të jenë shtetas shqiptarë;

– të mos jenë të përjashtuar nga Policia e Shtetit, strukturat e tjera të Sigurisë Kombëtare apo të jenë larguar nga shërbimi civil;

– të kenë zotësi të plotë për të vepruar;

– të jenë në gjendje të mirë shëndetësore dhe të aftë fizikisht për të kryer detyrën;

– të mos jenë të dënuar me vendim gjykate të formës së prerë, për kryerjen e ndonjë krimi apo për kryerjen e ndonjë kundravajtjeje penale me dashje;

– të jenë të pajisur me vërtetim besueshmërie;

– të kenë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “B”;

Ndërsa kriteret e veçanta që duhet të plotësojnë aplikantët për t’u pranuar në këtë cikël janë:

– të kenë përfunduar ciklin e parë dhe të dytë të studimeve në shkencat juridike, shkencat ekonomike (degët ekonomi, financë) ose shkencat kompjuterike (degët informatikë, elektronikë):

– të jenë nën moshën 30 vjeç;

– të kenë mesataren e cikleve të studimit mbi “8”;

– të jenë me gjatësi jo më pak se 175 cm për meshkujt dhe jo më pak se 165 cm për femrat;

– të kenë njohuri të gjuhës angleze në nivelin mbi 60 pikë sipas standardit ALCPT;

Aplikimet duhet të bëhen nga data 04 korrik 2019 deri në datë 31 korrik 2019, dhe dosja fizike e aplikimit duhet të dorëzohet pranë Drejtorive Vendore të Policisë, ku aplikanti ka vendbanimin e përhershëm.

Aplikantët që plotësojnë kriteret dhe paraqesin dokumentacionin e kërkuar, më pas do t’u nënshtrohen fazave të vlerësimit, të cilat janë:

-Vlerësimi sipas notës mesatare, e cila përfitohet nga llogaritja e mesatares së dy cikleve në të njënjtën fushë studimi;

– vlerësim me testim i njohurive të gjuhës angleze sipas standardit ALCPT;

– intervistimi i aplikantëve;

– kontrolli shëndetësor;

– marrja e shenjave të gishtave;

– verifikimi përfundimtar i aplikantit;

Ky është kursi i dytë në kuadër të hapjes së aplikimeve nga Policia e Shtetit për të rekrutuar studentë të diplomuar me rezultate të larta, pas ndryshimeve në ligjin për Policinë e Shtetit, me qëllim afrimin e kapaciteteve profesionale për strukturat e hetimit të Policisë Kriminale, parandalimit të pastrimit të parave dhe krimit kompjuterik.

Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit fton dhe nxit të gjithë studentët që kanë kryer ciklin e studimeve që përmbushin kriteret, të marrin pjesë në garën për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit.