Goditen 5 raste të mitëdhënies, gjatë 24 orëve të fundit

Policia e Shtetit

Strukturat e Policisë së Shtetit vijojnë kontrollet intensive, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Si rezultat i intensifikimit të kontrolleve, janë evidentuar dhe goditur dhjetëra raste të mitëdhënies, kryesisht nga shërbimet e Policisë Rrugore dhe Patrullat e Përgjithshme, në të gjithë vendin.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë goditur 5 raste të mitëdhënies, konkretisht 3 nga Policia Rrugore e Tiranës, një nga Policia Rrugore e Fierit dhe një nga Patrulla e Përgjithshme e Komisariatit të Policisë Sarandë. Gjatë javës që lamë pas janë goditur edhe 18 raste të tjera të mitëdhënies.

Gjatë kontrolleve parandaluese në 24 orët e fundit në Tiranë, shërbimet e Policisë Rrugore kanë kapur në flagrancë për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, 3 drejtues mjetesh, shtetasit L. N., A. M. dhe A. D, të cilët drejtonin mjetet nën ndikimin e alkoolit, me shpejtësi tej normave të lejuara apo duke përdorur aparatin celular. Për t’i shpëtuar ndëshkimit me masë administrative, të tre drejtuesit e mjeteve u kanë ofruar para punonjësve të Policisë Rrugore.

Në Fier, gjatë kontrolleve parandaluese, shërbimet e Policisë Rrugore Fier, në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Levanit”, kanë konstatuar shtetasin O. J. duke drejtuar automjetin tip “Benz” me xhama të riveshur. Për të shmangur masën administrative, ai i ka ofruar punonjësit të Policisë, një shumë parash. Drejtuesi i mjetit është arrestuar në flagrancë, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Ndërkohë, në Sarandë, është arrestuar në flagrancë shtetasi V. K., për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, i cili pasi është konstatuar nga shërbimet e Patrullës së Përgjithshme Sarandë, duke drejtuar mjetin pa vendosur rripin e sigurimit, u ka ofruar para punonjësve të Policisë, për të shmangur masën administrative.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe të mos tentojnë të korruptojnë punonjësit e Policisë, sepse do të përballen me forcën e ligjit. Policia e Shtetit fton qytetarët që të kontribuojnë në rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, duke denoncuar çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, si dhe çdo rast tjetër të paligjshmërisë, në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital.