Gjirokastër/Zhvillohen takime në kuadër të programit kombëtar “Siguria në shkolla”

📍 Gjirokastër/“Siguria e fëmijëve dhe e të rinjve, prioritet dhe përgjegjësi që na bashkon të gjithëve”.

Në kuadër të programit kombëtar “Siguria në shkolla” dhe në vijim të bashkëpunimit ndërinstitucional, në ambientet e gjimnazit “Siri Shapllo”, u zhvillua një takim me drejtuesit e institucioneve arsimore dhe strukturat e tjera përgjegjëse për sigurinë në arsim.

Në këtë takim morën pjesë Drejtori i DVP Gjirokastër, Drejtues Altin Merizaj, Prefektja e Qarkut Gjirokastër, znj. Albana Hasanaj, Drejtoresha e Zyrës Vendore Arsimore Gjirokastër, znj. Etleva Yzo, zëvendësdrejtori për Sigurinë Publike i DVP Gjirokastër, Kryekomisar Altin Demiraj, shefi i Komisariatit të Policisë Gjirokastër, Kryekomisar Agim Troci, shefi i Seksionit të Patrullës së Përgjithshme dhe Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në DVP Gjirokastër, Komisar Klement Lena, ndihmësspecialistët për Edukimin dhe Sigurinë në Shkolla të DVP Gjirokastër, si dhe drejtorët e shkollave, oficerët e sigurisë dhe psikologët.

Takimi kishte si synim analizimin e situatës së sigurisë në shkolla, evidentimin e problematikave, koordinimin e masave dhe përcaktimin e përgjegjësive konkrete, për garantimin e një viti shkollor të qetë, të sigurt dhe sa më larg fenomeneve kriminale për fëmijët dhe të rinjtë.

🤝 Gjatë diskutimeve u vu theksi te rritja e masave të sigurisë brenda dhe përreth ambienteve arsimore, si dhe te forcimi i bashkëpunimit ndërmjet Policisë, drejtuesve të shkollave dhe oficerëve të sigurisë, me qëllim evidentimin dhe parandalimin në kohë të problematikave që mund të cenojnë sigurinë dhe mirëqenien e nxënësve.

Vëmendje e veçantë iu kushtua sigurisë rrugore pranë shkollave, parandalimit të dhunës, bullizmit dhe sjelljeve me risk në komunitetin shkollor dhe në hapësirën digjitale, si dhe rritjes së komunikimit të vazhdueshëm me nxënësit, prindërit dhe komunitetin.

Drejtuesit e Policisë dhe të institucioneve arsimore theksuan se siguria e nxënësve është një përgjegjësi e përbashkët, ndaj secili duhet të kontribuojë sipas fushës së përgjegjësisë, për garantimin e saj.

👮♀️Policia e Gjirokastrës do të vijojë takimet dhe monitorimet në terren, me qëllim garantimin e një viti shkollor të sigurt dhe të qetë.

🤝 Bashkë për sigurinë e nxënësve!

#SiguriaNëShkolla
#NxënësitTëParët
#RaportoÇdoShqetësim