Gjirokastër/Vihet në pranga 1 shtetas i shpallur në kërkim, procedohen në gjendje të lirë 4 shtetas dhe shpallet në kërkim 1 tjetër, për vepra të ndryshme penale

Gjirokastër/Vihet në pranga 1 shtetas i shpallur në kërkim, procedohen në gjendje të lirë 4 shtetas dhe shpallet në kërkim 1 tjetër, për vepra të ndryshme penale.

Si rezultat i koordinimit të informacioneve dhe veprimeve operacionale të specialistëve për Hetimin e Trafiqeve të Paligjishme dhe Narkotikëve të DVP Gjirokastër, me Sektorin Operacional të DVP Durrës, u bë e mundur kapja në Durrës, dhe ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim R. D.(K.), 29 vjeç, banues në Durrës. Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër i ka caktuar 29-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Po nga këto struktura u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen D. R., 26 vjeçe, banuese në fshatin Marinz, Fier, pasi ka hyrë ilegalisht në Shqipëri, nëpërmjet pkk Kakavije, bashkë me nipin e saj 10 vjeç.

Specialistët e Seksionit të Hetimit të Krimeve Ekonomiko-Financiare shpallën në kërkim shtetasin I. B., 56 vjeç, banues në Lazarat, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtrimi”.

Po nga këto struktura u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit R. Gj., 59 vjeç dhe R. B., 49 vjeç, punonjës të OSHEE-së, të dy banues në Gjirokastër, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës’’, pasi ka kallëzuar shtetasja A. C., 69 vjeçe, rezidente në Greqi, se këta shtetas nuk kanë kryer zëvendësimin e matësit elektrik me defekt, në banesën e saj në Gjirokastër, dhe për këtë shkak ajo rezulton debitore ndaj OSHEE-së.

Specialistët e Seksionit të Trafikut Interurban dhe Urban referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin V. H., 50 vjeç, banues në fshatin Toç, Memaliaj, pasi duke drejtuar automjetin, ka humbur kontrollin dhe për pasojë automjeti ka dalë nga rruga. Nga aksidenti janë dëmtuar shtetasi V. H. dhe bashkëshortja e tij, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.