I arrestuari ishte në kërkim për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Sekuestrohen dokumentet false (leje drejtimi dhe kartë identiteti), mjeti prerës, 1900 euro dhe celulari i 31-vjeçarit.
Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional “Sundimi i ligjit”, shërbimet e Policisë së Gjirokastrës po kryejnë kontrolle intensive, të mbështetura te informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për të parandaluar dhe goditur paligjshmëritë, në çdo formë të shfaqjes së tyre.
Në këtë kuadër, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Gjirokastër kanë ndaluar për kontrolle, shtetasin Gj. L., të cilit i kanë gjetur 1 leje drejtimi dhe 1 kartë identiteti, të dyshuara të falsifikuara, 1 mjet prerës (thikë) dhe 1900 euro që dyshohet se kanë burim veprimtaritë kriminale.
Më tej, nga verifikimet rezultoi se 31-vjeçari ishte shpallur në kërkim, si bashkëpunëtor për transportimin e 4 emigrantëve, me qëllim kalimin e kundërligjshëm të kufirit shtetëror, rast i cili u godit nga Policia e Gjirokastrës, më datë 16.05.2023, në vendin e quajtur “Vasiar”, Memaliaj.
Në përfundim të veprimeve procedurale u vu në pranga shtetasi Gj. L., 31 vjeç, banues në Shkodër, si dhe iu sekuestruan sendet e kundërligjshme që kishte me vete.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.