Gjirokastër – Goditet një rast i organizimit të lotarive të palejuara, 1 shtetas në pranga

Vijon kontrolli për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme të lojërave të fatit.

Goditet një tjetër rast i kësaj veprimtarie.

Vihet në pranga një 28-vjeçar.

Sekuestrohen një tavolinë pokeri, dy telefona, 160 000 lekë, 170 euro dhe letra bixhozi.

Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të ushtrimit të paligjshëm të lojërave të fatit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar në DVP Gjirokastër, arrestuan në flagrancë shtetasin M. K., 28 vjeç, banues në Tepelenë.

Shtetasi M. K. u arrestua pasi, nga informacionet e siguruara në rrugë policore dhe nga kontrolli i ushtruar në ambientin “Bar-Kafe”, të administruar prej tij në rrugën “Studenti”, u konstatua se ushtronte veprimtarinë e lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin, si dhe ky subjekt ushtronte aktivitetin pa u regjistruar në organet përkatëse.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një tavolinë pokeri, dy telefona, 160 000 lekë, 170 euro dhe letra bixhozi.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara” dhe “Ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paligjshëm ose të paregjistruar në organet tatimore”.